Enj. Pri 18th, 2024

Dita e Flamurit-28 Nëntori

Me 7.12.2021,

Me rastin e Ditës së Flamurit, 109 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, nxënësit e mësimit të gjuhës shqipe në Austri, i dhurojnë Ambasadorit Flamurin e punuar artistikisht nga duart e tyre. Në kuadrin e festimeve me rastin e 109 vjetorit të shpalljes së Shqipërisë shtet i lirë sovran dhe i pavarur, si simbol i bashkimit të shqiptarëve kudo që janë, Flamuri Shqiptar i punuar me dashuri nga duart e nxënësve që mësojnë gjuhën shqipe në Vjenë, i’u dhurua Ambasadorit Roland Bimo në Ambasadën shqiptare në Austri, nga nxënësit Fatlind Ademi, Ejona Rugova dhe Anisa Shala. Ata përfaqësuan edhe nxënësit e tjerë, të cilët kishin kontribuar në punimin artistik të Flamurit dhe shoqëroheshin nga mësuese Miradije Berisha, Kryetare e Shoqatës së Mësuesve shqiptarë “Naim Frashëri” në Austri, si dhe Z. Osman Ademi, mësues e veprimtar i diasporës shqiptare në Austri. Nxënësit Fatlind Ademi, Anisa Shala dhe Ejona Rugova uruan Ambasadorin për festën e pavarësisë, i transmetuan gjithë bashkëmoshatarëve të tyre në Shqipëri përshëndetje të përzemërta me rastin e festës së 28 Nëntorit, si dhe falendrojnë për mbështetjen që i jepet mësimit të gjuhës shqipe nga Ambasada Vjenë. Për shkak të masave kundër pandemisë Covid -19, ceremonia ishte detyrimisht e kufizuar. Nga ana e tij, Ambasadori Roland Bimo duke shprehur vlerësimin më të lartë për punën me përkushtim dhe pasion të mësuesve, angazhimin dhe predispozicionin e prindërve, si dhe vullnetin e nxënësve, në emër të amabasadës, i dorëzoi Kryetares së shoqatës Zj. Miradije Berisha, certifkatën e Mirënjohjes. Ambasada Vjenë nderon Shoqatën e Mësuesve të gjuhës shqipe “Naim Frashëri’’ në Austri, për kontributin e saj të dukshëm në edukimin patriotik të brezit të ri, transmetimit përmes gjuhës, të vlerave më të mira qytetare e morale, si dhe për bashkëpunim të frutshëm me Ambasadën në Vjenë.