Austri / Roza Prenaj: Ti mësosh shqipen fëmijëve të brezit të tretë në Diasporë

Roza Prenaj Nrecaj është një nga mësueset që japin mësimin e gjuhës shqipe në Austri. Mësimdhënia e gjuhës shqipe në Austri bëhet edhe më e thjeshtë falë mbështetjes që jep Ministria e Arsimit në këtë shtet. Në një intervistë për “Diaspora Shqiptare”, mësuese Roza Prenaj Ndrecaj na tregon për projektin e përvitshëm, ku 50 studentë nga Austria vizitojnë Kosovën dhe Shqipërinë.

Prej vitit 2001 punoni si mësuese e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Austri. Përveçse profesion, çfarë do të thotë për ju të ruani gjuhën shqipe duke e përcjellë tek brezat e rinj të Diasporë?

Puna me fëmijë është  për mua jetë, gjithmonë e kam dashur profesionin e mësueses, për fat të mirë dhe në Austri ishte mundësia që fëmijët tanë të mësojnë gjuhën e nënës, për çka në fillim jam befasur për këtë mundësi që ekziston nga Ministria e Arsimit të Austrisë (që duhet të jemi shumë falenderues). Gjithmonë iu them fëmijëve, nxënësve dhe prindërve që të shfrytzojmë këtë mundësi të mësimit dhe prezentimit të gjuhës dhe  kulturës shqipe nëpër shkollat austriake. Duhet të integrohemi  në gjuhën dhe kulturën e vendit, por dhe me krenari të prezentojmë gjuhën shqipe.

Në fillim (para 20 viteve)  nxënësve iu vinte turp që të prezantojnë gjuhën e nënës para publikut austriak, por me kohën gjërat kanë ndryshuar dhe sot me krenari, nxënësit prezentojnë gjuhën dhe traditën shqipe.

Prezentimi i parë në shkollën e ciklit të ulët në qytetin turistik Schladming, qershor 2001

Çdo fund viti shkollor, kemi prezentuar kulturën tonë në disa shkolla e sidomos në Rottenmann, për çfarë duhet t’i falenderoj shumë prindërit për përkrahjen në çdo aspekt.

E veçantë, në punën time në shkolla austriake  ishte dhe prezantimi “Falenderues – Danke” 2011, në shkollën e Judenburgut.

Si funksionon mësimi i gjuhës plotësues në Austri?

Mësimi i gjuhës shqipe- plotësues në shkollat austriake ku unë punoj, për disa vite ishte në forme kursi mbasdite.

Por, me mundësitë më të mira nga drejtoritë e  shkollave dhe  Ministria e Arsimit të Austrisë, mësimi plotësues vijon  në mënyrë paralele në klasë, së bashku me mësuesen e klasës, por edhe në forme kursi në orët e fundit të mësimit gjermanisht ose dhe mbasdite.

Si quhet shkolla ku ju jepni mësim dhe sa nxënës mësojnë aty?

Unë jap mësime në 7 shkolla dhe në 5 qytete: Judenburg, Zeltëeg, Knittelfeld, Liezen, Rottenmann. Në çdo shkollë është numri i ndryshëm i nxënësëve, duke filluar nga 9,11,22 etj.. Mundem lirisht të them, se në shkollat ku unë jap mësim nxënësit shqiptar dallohen me zgjuarsi, precizitet, bukuri, e  sidomos gjenerata e tretë ( fëmijët e ish-nxënësve) që janë shembullorë. Krenari të punosh me ta.

Sa të disponueshëm janë prindërit për t’i mësuar gjuhën shqipe fëmijëve?

Disponimi i prindërve është i ndryshëm, varet nga interesi, aftësia apo dhe vlerësimi i prindërit nëse do fëmija i tyre të ndjek mësimin plotësues.

Disa janë si të frikësuar, duke menduar se mos fëmija tyre duke mësuar gjuhën shqipe, ka probleme në gjuhën gjermane( për nxënës fillestar, por jo shumë).

Për fat të mirë shumica e prindërve e vlersojnë  mundësi e mësimit plotësues, që fëmijët e tyre njëherë në javë të kenë gjuhë shqipe, në çfarë do forme. Respekt për pridër, ku unë punoj vërtetë janë për t’u lavdruar dhe respektuar.

Cilat janë shkronjat ku hasin më shumë vështirësi nxënësit?

Në të shkruar: C- Q,  Gj- Xh , R- Rr,  Xh- Zh, por varet  nga nxënësi, se si është i interesuar dhe sa e merr me vullnet orën e mësimit. Një ndihmë e madhe është edhe nga familja ( prindërit, gjyshërit) që  në shtëpi ushtrojnë, kjo e lehtëson dhe e forcon punën e mësuesit.

Në gjithë këto vite eksperiencë, mbani mend ndonjë moment kur jeni emocionuar gjatë mësimit të gjuhës shqipe, ose historisë vendit?

Shumë herë, përveç se kemi gjuhë dhe letërsi, vjen dhe gjeografia e historia. Në histori thellohen aq shumë nxënësit dhe marr shumë pyetje nga ata, gjë që më emocionon shumë dhe më jep forcë që t’ju sqaroi me më shumë vullnet. Historia shqiptare është vërtetë interesante, duke nisur nga Ilirët e deri në historinë e re. Fëmijët që rriten në mërgatë ( disa nga ata )  nuk kanë informacione të mëdha për historinë, kulturën dhe fenë shqiptare.

Ndonjëherë me ka ndodhur që të kem në plan diçka në gjuhë të shpjegoi dhe pa dashur, me pyetjet e nxënësëve hyj në histori dhe ju sqaroj për fenë, kulturen dhe traditën shqiptare (sepse shumica e nxënësve nuk janë të informuar që në Shqipëri dhe Kosovë, ka edhe shqiptarë të besimit katolik dhe ortodokse apo edhe ateist). Por me respektin më të madh për të gjitha fetë mundohem tú shpjegoi aq sa mundem.

Kam fatin, që 20 vite kam bashkëpunuar me prindër dhe nxënës shumë të kuptueshëm dhe më kanë përkrahur në çdo aktivitet në Austri dhe në vendlindje. Në Austri, në vizitën e shpatës së Skënderbeut në muzeun e Wienes, pastaj pyetsorët e diturisë që mbahen çdo vit në qytete të ndryshme si në: Wien, Graz, Linz, Rottenmann ( dy herë)  si dhe në Kosovë Rtk.

Sa e përfshirë jeni në çështjet e Diasporës?

Jo dhe aq shumë ( A- Politike, por dua më të mirën për Mëmëdheun tim).

Unë dhe jashtë orarit mësimor, jam e angazhuar disa herë me grup nxënës  tek shoqata “Dardania” në Knittelfeld, për festat kombëtare, ore letrare me përfaqësues nga Kosova dhe Shqipëria, ku nxënësit prezantojnë talentet e tyre me shumë krenari.

A ktheheni shpesh në Kosovë dhe Shqipëri?

Unë personalisht dy herë në vit. Por ne mësuesit shqiptarë në Austri kemi shoqatën e mësuesve “Naim Frasheri” që me ndihmën e Ministrisë së Kosovës dhe Shqipërisë, organizojmë çdo vit shëtitjen e një grupi mbi 50 nxënës të dalluar nga Austria. Udhëtojmë për në Kosovë dy dit dhe dy ditë në Shqipëri. Kjo mundësi e shëtitjes dhe prekjes së gjërave me dorë nga nxënësit ka vlerë shumë të madhe.